Lugina e Prshevës ka dhënë shumë emra krijuesis letrar të cilët kanë bërë emër si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke senzibilizuar kulturën dhe letërsinë e kësaj treve në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.
Njëri nga ta është edhe shkrimtarja Albina Idrizi e cila është me prejardhje nga Lugina e Preshevës, përkatësisht nga fshati Tërrnoc i komunës së Bujanocit
Biografia dhe krijimtaria letrare
Albina Idrizi, lindi në Tërnoc të komunës së Bujanocit, më 1966. Albina si fëmijë shpërngulet në Gjilan ku kryen shkollimin fillor dhe ate të mesëm. Fakultetin Filologjik, drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i përfundon në Universitetin e Prishtinës.
Prozën e parë e boton si nxënëse e shkollës fillore më 1980 në revistën për fëmijë ‘Pionieri’ ku, përmes shkrimeve në vazhdim poezi e prozë, përfshihet në periodikun e kohës deri më 1997 kur boton përmbledhjen e parë me poezi për të rritur ‘Heshtje e mbarsur’ në botim të RILINDJES.
Në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen për fëmijë ‘Ëndrra me ylberë’.
Në prill të vitit 2009 boton romanin ‘Hijet e kullave’.
I mirëpritur nga lexuesit dhe kritika si ‘një ndër librat që bëjnë historinë’ (Mihail Antonesku), romani përkthehet në gjuhën rumune pot ë njejtin vit në Bukuresht në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumunisë ALBANESUL.
Në të njëjtin vit përzgjidhet t’i bashkohet poetëve shqiptarë nga të gjitha viset në antologjinë poetike dygjuhëshe, shqipe dhe rumune, ‘Templul Cuvantului’ (‘Tempulli i fjalës’).
Në prill të vitit 2010 del nga shtypi përmbledhja me poezi për të rritur ‘Dashuruar në diell’.
Në Gembloux, qytetin muzeal në periferi të Brukselit në Belgjikë, në majin e vitit 2010, në Sallonin e 40 jubilar nderohet me medaljen e argjentë për poezi nga Akademia Europiane e Arteve.
Ndërkaq, nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve PEGASI Albania, nderohet me Çmimin Special për romanin ‘Hijet e kullave’.
Në dhjetor të viti 2010, nga drejtorati për Rini, Kulturë dhe Sport i qytetit të Gjilanit , nderohet me mirënjohje për artin letrar.
Në dhjetor 2010, në kuadër të manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT, nderohet me mbrëmjen përkushtuese letrare të krijimtarisë në përgjithsi ku marrin pjesë dhe proklamojnë emra të njohur të letërsisë shqiptare.
Në vitin, 2011, poezitë e kësaj autoreje përfshihen edhe në antologjinë e poetëve botëror ‘Antologija da associacao internacional poetas del mundo I, II’.
Në të njëjtin vit, 2011, nën përgatitjen dhe kujdesin e LNPSHA ‘PEGASI’ i botohet përbledhja me poezi në katër gjuhë: shqip, anglisht, greqisht dhe italisht ‘Orbita e fjalës’.
Po ashtu me financimin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte të republikës së Kosovës, del nga shtypi përmbledhja me tregime ‘Pergamenë e gjallë’.
Në vitin 2015 botoi librin me poezi të përkthyer në anglisht, greqisht dhe italisht.
Në vitin 2019, botoi romanin “Përsëri mars” në botim të shtëpisë botuese “Buzuku” në Prishtinë, ku u mirëprit nga lexuesit dhe nga kritika letrare në përgjithësi.
Aktualisht është nënkryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtare e Akademisë Europiane të Arteve, Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve ‘ PEGASI’ Albania, dhe nënkryetare e e ARS Clubit ‘Beqir Musliu’ në Gjilan.
/Nacionali/
No Comment