Tre maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias e cila përkujtohet çdo vit për të sjellë në vëmendje se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut. Kjo ditë u kujton njerëzve, se shumë gazetarë kanë gjetur vdekjen apo kanë rënë në burg për të sjellë lajmin tek publiku.
“Freedom House” e rendit Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve ku liria e mediave është pjesërisht e lirë. Në Ballkan, si shtete ku mediat janë të lira konsiderohen Kroacia dhe Serbia. Ndërsa në nivel global, raporti mbi lirinë e shtypit ngre alarmin se pas medias traidicionale, në shënjestër të liderëve që duan të kontrollojnë gjithçka janë vënë rrjetet sociale.
Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 1993 si një zgjatim i Seminarit mbi Promovimin e një shtypi të pavarur dhe pluralist afrikan. Ky seminar u zhvillua në Namibi në vitin 1991 dhe solli miratimin e Deklaratës ‘Windhoek’ mbi Promovimin dhe Pluralizmin e Medias.
Deklarata ‘Windhoek’ është krijuar për ruajtur dhe nxitur një shtyp të pavarur, pluralist dhe të lirë. Deklarata thekson rëndësinë e një shtypi të lirë për zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë në një vend, si dhe për zhvillimin ekonomik.
Në Luginën e Preshevës gazetaria hulumtuese nuk është fare aktive, meqenëse nuk paguhen gazetarët dhe se janë në rrezik, sidomos në këtë pjesë ku jetojmë, si në aspektin politik, social dhe ekonomik.
Kjo e gjeti edhe RTV Preshevën, pa përkujdesje as shtetërore as institucionale, meqenëse kjo ndërmarrje informative ende figuron si publike deri në rregullimin e pronësisë dhe të statusit të saj. Kjo ndërmarrje me mbi 20 punëtorë, nuk punon dhe se punëtorët nuk kanë marrë paga më tepër se dy vjet.
Me këtë themi se gazetaria në Luginë edhe në këtë përvjetor të lirisë së medias është e shkelur, e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore nga pushteti dhe nga shteti…
/Nacionali/
No Comment