“… Lugina ka nevojë për përkrahje morale, politike dhe për ndihmë konkrete me qëllim të ruajtjes së këtyre trevave shekullore” thotë ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) dhe drejtori i shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë, Shukri Ymeri.
Në një intervistë për Nacionali.info fletë për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kërkon “ruajtjen e substancës kombëtare”. Deklarohet për përbërjen e re të KKSH-ës dhe dëshiron që shqiptarët të jenë “të bashkuar”.
Nacionali.info: Si e vlerësoni pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës?
Shukri Ymeri: Shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë më të vështirë se sa që janë sot. Edhe pse spektri politik dhe popullata shqiptare e kësaj treve mendoj se i kanë kryer detyrat e veta. Shqiptarët e këtyre trevave autoktone sot ballafaqohen me probleme të fushave të ndryshme siç është fusha e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, fusha e sigurisë etj., mbi të gjitha Lugina përballet me problemin kryesorë që është emigrimi i pjesës më fertile të kësaj popullate dhe kjo na shqetëson shumë. Sot ose kurrë, Lugina ka nevojë për përkrahje morale politike dhe për ndihmë konkrete me qëllim të ruajtjes së këtyre trevave shekullore (ndihma nga Kosova, Shqipëria dhe Diaspora), përndryshe nesër do të jetë tepër vonë.
Nacionali.info: Cilat janë pritshmërit Tuaja për vitin e ardhshëm 2020-shqiptarët e Luginës së Preshevës a do të jen në të njëjtën pozitë?
Shukri Ymeri: Si çdo shqiptar edhe unë mbesë me shpresë se viti 2020 do të sjell të mira për këtë trevë dhe se ndoshta do të jemi më mirë se vitin që po e lëmë pas, por kam një porosi shumë serioze për udhëheqësit e subjekteve politike e sidomos të atyre që udhëheqin me pushtetet lokale dhe bizneset private, që të shqyrtojnë mirë dhe drejtë pozitën e punëtorëve në sektorin privat se përndryshe ky vend shumë shpejt do të boshatiset, nesër gjithçka do të ishte tepër vonë. Pritshmërit në rrafshin politik janë angazhimet tona të përhershme me kërkesën për bashkëngjitje me Kosovë, por krahas sajë ne duhet të jemi të vëmendshëm në ruajtjen e substancës kombëtare dhe RINISË frytdhënëse këtu!
Nacionali.info: Si e vlerësoni funksionimin e KKSH-s nga përbërja e re, cili është vlerësimi juaj?
Shukri Ymeri: Përbërja e re e KKSH-së është e shkëlqyeshme, me përvojë dhe me shumë elan për të dhënë kontributin maksimal për të realizuar të drejtat tona në fushat që ka kompetenca ky organ, por duke ditur se KKSH-ë ka shumë pak kompetenca ekzekutive, mendimi im është se nuk mund të presim mrekullira. Duke përcjellë punët dhe angazhimin e përbërjes së re të KKSH-së jemi më me shpresë se gjatë këtij mandati do të kemi edhe rezultate konkrete.
Nacionali.info: Cili është mesazhi juaj për vitin 2020?
Shukri Ymeri: Uroj që viti 2020 të jetë vit i sukseseve tona dhe të na gjejë të bashkuar!
/Nacionali/
No Comment